Salihu tregon sfidat me të cilat përballet Gjykata Themelore në Gjilan

Salihu tregon sfidat me të cilat përballet Gjykata Themelore në Gjilan

03.04.2026 | 00:38
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka vlerësuar se gjatë tri viteve të fundit është shënuar progres i dukshëm në pothuajse të gjitha fushat e funksionimit të gjykatës, ndërsa ka theksuar edhe sfidat me të cklat përballen, sidomos për shkak të numrit të madh dhe kompleksitetit të lëndëve.

“Në këto tre vitet e fundit ka pasur një progres të jashtëzakonshëm veçanërisht në menaxhimin e lëndëve dhe në rritjen e efikasitetit, gjithashtu ka pasur progres edhe në rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies të stafit administrativ dhe stafit gjyqësor. Sidat padyshim që kanë qenë dhe do të jenë për shkak të numrit të madh të rasteve, kompleksiteti i rasteve, numri i madh i provave, nxjerrjes së ekspertizave apo edhe në ato raste kur kemi të bëjmë me numër të madh të të akuzuarve në lëminë penale, por qoftë edhe sa ato civile”, ka thënë ai.

Por, sipas Salihut, pavarësisht sfidave që ekzistojnë, Gjykata Themelore në Gjilan mbetet e përkushtuar për të garantuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar që çdo qytetar të ketë qasje në drejtësi dhe atë në kohë të arsyeshme.

Duke folur për kapacitetet, ai ka bërë të ditur se aktualisht Gjykata është minimalisht e mbuluar me gjyqtarë, ndërsa sfida kryesore mbetet mungesa e stafit gjyqësor.

“Në përgjithësi mund të them që kapacitetet tani për tani jemi minimalisht të mbuluar me gjyqtarë. Në momentin që po flasim 34 gjyqtarë figurojnë në gjykatën tonë. Kurse prej tyre janë 29 aktivë, katër prej tyre gjenden në Akademinë e Drejtësisë dhe një gjyqtar ka më tepër se dy vite që është pezulluar nga puna”, ka thënë ai.

Salihu ka thënë se sfidë mbeten kapacitetet pasi këtë vit pensionohen edhe katër gjyqtarë.

“Pra, deri në fund të vitit do të punojmë me minus gjyqtarë që është jashtëzakonisht një numër i konsiderueshëm i gjyqtarëve. Pasi siç e dimë pa gjyqtarë ne nuk mund të funksionojmë apo të ofrojmë drejtësinë në kohë të duhur, por edhe më tepër sfidë do të paraqitet pasi që kemi siç thashë më lart edhe një standard të brendshëm ku kemi arritur që brenda gjashtë muajve të caktohen të gjitha lëndët që hyjnë në gjykatë”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Gjykatës në Gjilan ka shtuar se një pjesë e madhe e gjyqtarëve kanë qenë të angazhuar edhe në degët e Gjykatës, duke kontribuar në përmirësimin e përgjithshëm të performancës.

“Në qendër janë diku 19-20 gjyqtarë që kanë punuar nga viti 2023, përfshirë edhe mua dhe 16 nga ata kanë qenë të angazhuar edhe nëpër degë të Gjykatës”, ka përfunduar kryetari.

Për më shumë, ndiqeni intervistën e plotë me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, në platformat online të “Betimi për Drejtësi”. /BetimipërDrejtësi/