Calja: Rikthimi im mes forcës fizike dhe mendore, kam punuar në heshtje
03.04.2026 | 00:36
Të jesh kampion do të thotë të dish të përballosh edhe momentet më të vështira, për t’u rikthyer edhe më i fortë. I tillë është Briken Calja, një emër që ka shkruar historinë e peshëngritjes dhe të sportit shqiptar, mes rekordeve dhe medaljeve, duke mbajtur edhe rezultatin më të lartë olimpik që një sportist me kombësi shqiptare ka arritur ndonjëherë, siç ishte vendi i katërt në “Tokio 2020”, vetëm 1 kg larg podiumit.
Pas një kalvari dëmtimesh dhe me vitet që ecin, Calja nuk u dorëzua kurrë, edhe pse ai vetë e pranon që si çdo sportist në momente të vështira e kishte menduar edhe të ndalej. Shtërmenasi që garon prej vitesh për Tiranën, u rikthye të shkëlqejë, duke u shpallur sportisti më i mirë i kampionatit kombëtar 2026. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Calja ka komentuar garën e zhvilluar pak ditë më parë në sallën “Feti Borova”. Kampioni i peshëngritjes tregon ngritjen e tij, ndërsa flet gjithashtu për të tashmen dhe për të ardhmen e afërt, me Europianin në prag.
Briken, riktheheni në nivel “top”, duke shkëlqyer në kampionat si sportisti më i mirë i aktivitetit. Si i komentoni paraqitjen dhe rezultatet e kësaj gare?
Kjo garë ishte një rikthim i fortë për mua. Pas gjithë vështirësive, të rikthehesh dhe të jesh sportisti më i mirë i aktivitetit ka një vlerë të veçantë. Jam i kënaqur me paraqitjen, por mbi të gjitha me stabilitetin dhe sigurinë që tregova në platformë në kampionatin kombëtar dhe ne kampionatit ballkanik në Durrës në dhjetor 2025. Është një sinjal i qartë që jam sërish në rrugën e duhur për objektiva më të mëdha. Për këtë performancë i detyrohem jashtëzakonisht shumë familjes, stafit tim, Geraldit dhe Vaninit, Klubit Tirana, Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së sportit. Pa ta do ishte shumë i vështirë rikthimi im në skenë.
Vitet e fundit keni qenë pa fat, me dëmtime të shumta që ju kanë penalizuar para garave të rëndësishme. Keni menduar ndonjëherë të ndaleni dhe cili ka qenë sekreti i rikthimit tuaj me performanca të nivelit të lartë?
Po, ka pasur momente shumë të vështira ku çdo sportist mendon edhe të ndalet. Por, unë kam zgjedhur të luftoj. Sekreti është besimi, disiplina dhe durimi. Kam punuar shumë në heshtje, me një fokus të madh te rikuperimi dhe përgatitja e zgjuar. Nuk është vetëm forca fizike, por edhe ajo mendore që të rikthen në nivele të larta.
Jeni 36 vjeç, megjithatë në Shqipëri ende nuk po del dikush që t’iu sfidojë…
Sporti ka ciklet e veta, por kjo tregon edhe nivelin e lartë që kam arritur dhe e kam mbajtur ndër vite. Do të doja shumë konkurrencë më të fortë brenda vendit, sepse ajo të shtyn të bëhesh edhe më i mirë. Gjithsesi, unë nuk garoj vetëm me të tjerët, por çdo ditë sfidoj veten për të qenë më i fortë se dje…
A shihni potencial që shtanga shqiptare të prodhojë Briken Calje të rinj?
Po, absolutisht ka potencial. Shqipëria ka talente, por duhet më shumë investim, strukturë dhe mbështetje që këta të rinj të zhvillohen siç duhet. Përvoja ime mund të shërbejë si shembull që me punë dhe sakrificë arrihen majat. Do të jem gjithmonë i gatshëm të kontribuoj si mentor për brezin e ri.
Jemi në prag të Europianit, një kompeticion që ju ka parë të bëni histori, me tripletë medaljesh ari dhe me shumë podiume. Çfarë prisni nga Europiani i Gjeorgjisë?
Europiani është gjithmonë një skenë ku unë kam dhënë maksimumin dhe kam bërë histori. Shkoj me objektiva të qarta: të luftoj për vendin tim dhe të jap performancën më të mirë të mundshme. E di që konkurrenca është shumë e fortë, por unë jam përgatitur seriozisht dhe besoj tek vetja. Në fund, dua të dal nga platforma duke ditur që kam dhënë gjithçka… /panoramasport/